MAGAZINË /

Ndryshon ora, nis zyrtarisht sezoni veror – çfarë efektesh ka në organizëm

Ora verore do të zgjasë për rreth shtatë muaj, deri në të dielën e fundit të tetorit.

Shkruar nga Versus

Ndryshon ora, nis zyrtarisht sezoni veror – çfarë efektesh ka

Kjo e diel ka sjellë ndryshimin e orës, duke shënuar kalimin në orën verore. Akrepat janë zhvendosur 60 minuta përpara, duke bërë që dita të nisë dhe të përfundojë më vonë krahasuar me një ditë më parë.

Ora verore do të zgjasë për rreth shtatë muaj, deri në të dielën e fundit të tetorit. Ky ndryshim synon të shfrytëzojë më mirë dritën natyrore të diellit, duke ndikuar në kursimin e energjisë dhe në organizimin më efikas të aktiviteteve ditore.

Praktika e ndryshimit të orës është e përhapur në shumë vende të botës. Ajo u aplikua për herë të parë në vitin 1916 nga Gjermania, gjatë Luftës së Parë Botërore, për të kursyer burimet energjetike, dhe më pas u përhap në vende të tjera europiane. Në vitet 1970, pas krizave të naftës, ora verore u rikthye si një masë për menaxhimin e konsumit të energjisë.

Që prej vitit 2001, vendet e Bashkimit Europian, përfshirë edhe Shqipërinë, e aplikojnë këtë ndryshim çdo vit në të dielën e fundit të marsit.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ndryshimi i orës, edhe pse vetëm me 60 minuta, ndikon në organizmin e njeriut. Ai prish ritmin cirkadian – orën biologjike 24-orëshe që kontrollon gjumin, nivelin e energjisë, prodhimin e hormoneve dhe humorin.

Për këtë arsye, ditët e para pas ndryshimit të orës mund të shoqërohen me lodhje, përgjumje apo vështirësi në përqendrim, derisa organizmi të përshtatet me ritmin e ri.

Poll