Rrugëtimi i Mirit brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania 5” po i afrohet finales dhe emocionet rreth tij po shtohen çdo ditë, ndërsa gara ka hyrë në fazën vendimtare.
Në këtë periudhë, mbështetja nga miqtë dhe figura të njohura të muzikës shqiptare po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Së fundmi, këngëtarja e njohur Aurela Gaçe ka bërë një reagim publik emocional, duke i dedikuar një mesazh të veçantë mikut të saj Miri.
Në reagimin e saj, Gaçe shpjegon se zakonisht ka zgjedhur të mos komentojë pjesëmarrjen e kolegëve në reality show për shkak të gjuhës së urrejtjes që shpesh shoqëron këto formate.
Megjithatë, për Miri, ajo ka bërë një përjashtim, duke rikujtuar edhe historinë e grupit “West Side Family” dhe figurën e ndjerë të Dr. Flori.
Ajo thekson se e mbështet rrugëtimin e tij dhe i uron që të marrë frytet e vendimit për të qenë pjesë e programit, duke shtuar se në fund të çdo gare ka vetëm një fitues, por ajo që mbetet është dashuria dhe respekti.
Në mesazhin e saj, këngëtarja i uron Mirit sukses dhe e mbyll me një reflektim emocional mbi jetën dhe rrugëtimin personal, duke kujtuar fjalët e Dr. Florit se “në fund të ditës mbetet vetëm dashuria”.
Në mesazhin e saj, Aurela shkruan:
Ata ishin 3 @westsidefamilyofficial dhe vazhdojnë të jenë në zemrat e atyre që i deshën e i duan për artin e për emocionet që shkaktuan. Prej disa muajsh @miri_westsidefamily mori një vendim për t’u bërë pjesë e BBVA. Në fakt unë personalisht kam pasur shumë miq e shokë e bashkëpunëtorë pjesë e BBVA. E asnjëherë nuk kam marrë përsipër të komentoj askënd nga bashkëpunëtorët që vendosin të bëhen pjesë e formateve që shpesh bëhen shkak për një gjuhë urrejtjeje. Energji që nuk dua t’a afroj e as t’a prodhoj.
Rrugëtimit të Mirit po i vjen fundi e dua vetëm t’i uroj të ketë marrë e të marrë më vonë frytet e arsyes e qëllimit që ai kishte kur vendosi të bëhej pjesë e këtij formati. Në fund ka vetëm një fitues. Por jeta shkon siç e thoshte në këngë edhe Dr. Flori, ndaj në fund të ditës, secili, e për Mirin, mikun tonë, uroj të marrë dashuri e vetëm dashuri.

