MAGAZINË /

Papa Leone XIV mëson gjermanisht natën online: Zbulohet profili i tij, vëllai e konfirmon

Poliglot, modern dhe teknologjik, Papa i parë amerikan përdor Duolingo gjatë netëve pa gjumë për të zgjeruar njohuritë gjuhësore.

Shkruar nga Versus

Papa Leone XIV mëson gjermanisht natën online: Zbulohet profili i tij,

Papa Leone XIV, i njohur para zgjedhjes si Robert Francis Prevost, ka surprizuar rrjetin me një zakon sa të pazakontë, aq edhe simpatik: ai përdor aplikacionin Duolingo për të mësuar gjermanisht, kryesisht gjatë orëve të natës, kur vuan nga pagjumësia.

Lajmi, i raportuar fillimisht nga La Repubblica dhe më pas i përhapur nga disa agjenci ndërkombëtare, ka ngjallur reagime pozitive dhe humor në internet. Disa përdorues të platformës kanë vënë re një profil me emrin “Robert”, i lidhur me username-in @drprevost – i njëjti që Papa përdorte në X (ish-Twitter) përpara se të zgjidhej Papë më 8 maj 2025. Akseset nga Roma, shpesh rreth orës 03:00 të mëngjesit, i shtynë përdoruesit të bënin edhe komente ironike, si: “Atë i Shenjtë, është ora tre e mëngjesit, çfarë po bën?”.

Autenticiteti i profilit u konfirmua nga vëllai i Papës, John Prevost, në një intervistë për National Catholic Reporter. “Nuk kam asnjë dyshim, ai po mëson vërtet gjermanisht,” tha John, duke zbuluar edhe zakonet e natës së Papës. “Zgjohet gjithmonë para orës gjashtë. Nëse zgjohet në mes të natës, luan ‘Words with Friends’. I them shpesh: ‘Çfarë po bën duke luajtur në tre të mëngjesit?’ – por thjesht nuk e zë gjumi.”

Papa Leone XIV, Papa i parë amerikan në histori, flet rrjedhshëm anglisht (gjuha e tij amtare), spanjisht, italisht dhe frëngjisht, si dhe pak portugalisht. Këto gjuhë i ka përvetësuar gjatë viteve të misionit në Peru dhe shërbimit të tij në Romë si epror i përgjithshëm i Urdhrit të Augustinianëve. Interesi për gjermanishten lidhet me nevoja baritore dhe kulturore, në një pontifikat që po përballet me sfida globale dhe dialog ndërkombëtar.

I apasionuar pas sportit, ai luan tenis në Castel Gandolfo dhe po shqyrton mundësinë e instalimit të pajisjeve fitnesi në Pallatin Apostolik – Papa Leone XIV shfaqet si një Papë modern dhe i afërt me jetën e përditshme të njerëzve. Nga smartfoni te aplikacionet edukative, ai e kthen edhe pagjumësinë në një mundësi për të mësuar diçka të re.

Poll