
Sopranoja me famë ndërkombëtare, Inva Mula, ishte e ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, ku ndau me publikun momente të veçanta nga jeta e saj personale dhe profesionale.
Një nga temat më të spikatura të intervistës ishte përfshirja e saj në filmin kult “The Fifth Element”, një nga rolet më ikonike të karrierës së saj, që i dha jehonë ndërkombëtare zërit të saj.
E pyetur për përfitimet financiare nga ky projekt i madh hollivudian, Mula bëri një rrëfim të sinqertë dhe të pazakontë.
“Ka qenë një gabim jetësor,” – tha ajo, duke shpjeguar se shkoi në këtë projekt me agjentin e saj, një person me shumë përvojë, por që, nga entuziazmi i momentit, harroi të firmoste kontratën që siguronte të drejtat e autorit. Kjo neglizhencë bëri që Inva Mula të mos përfitonte asgjë financiarisht nga pjesëmarrja në një prej filmave më të mëdhenj të viteve '90.
“Nuk fitoj asgjë, edhe sot e kësaj dite. Është me miliona… por i kam thënë vetes që nuk ka gjë. Unë fitova përjetësisht publikun. Edhe milionat nuk më interesojnë, më interesojnë njerëzit që kanë parë shfaqjen. Po të kisha milionat, nuk e di nëse do të më interesonte të këndoja më apo jo,” – tha ajo, duke treguar se lidhja e saj me artin është shumë më e thellë se çdo përfitim financiar./ Versus.al







