Në mes të tymit dhe flakëve që përfshinë Greqinë Perëndimore në gusht 2025, një akt i thjeshtë humaniteti u shndërrua në një nga imazhet më ikonike të vitit.

Një burrë shqiptar, Olsien Muçobega, u fotografua teksa mbante një dele në krah, duke e shpëtuar mbi motorin e tij në zonën e Patrës, një nga vendet më të goditura nga zjarret.
Fotografia, e realizuar nga fotoreporteri i Reuters, Thanasis Stavrakis, është përfshirë nga BBC në listën e saj të 12 fotografive më ikonike të vitit 2025, duke e cilësuar këtë moment si një përkthim modern të figurës mitike të Bariut të Mirë, që në ikonografinë e hershme kristiane përfaqëson sakrificën dhe kujdesin për të pambrojturit.
“Në sfondin e mbuluar nga tymi që ngrihet si re të dendura, një burrë mbi një motor shfaqet duke shpëtuar një dele që është kapur fort pas tij. Ky veprim ngjan me paraqitjet e hershme të Bariut të Mirë në katakombet romake të shekujve II dhe III,” shkruan BBC.
Në atë periudhë, rajoni i Ahaisë u përfshi nga zjarre masive që shkatërruan pyje, shtëpi dhe bënë që shumë familje të evakuohen. Në mesin e këtij kaosi, akti i Muçobegës mori vëmendje të madhe, jo vetëm për përkushtimin ndaj kafshëve, por për simbolikën e fuqishme njerëzore që përçon.
Olsieni nuk shpëtoi vetëm delen, por edhe disa qen të lidhur, të braktisur në një zonë të rrezikshme nga flakët. Ky gjest ka bërë që ai të shpallet “hero i heshtur” nga komuniteti lokal dhe të përmendet në mediat ndërkombëtare si shembull i guximit dhe empatisë në kohë katastrofash natyrore. /VERSUS/







