
KF Tirana ka rrëmbyer një fitore të artë në derbin e kryeqytetit, duke mposhtur me përmbysje 2-1 FK Partizani në stadiumin Air Albania Stadium.
Sfida, e vlefshme për javën e 33-të të Kategoria Superiore, nisi me ritëm të lartë, por edhe me vonesë për shkak të tymit që mbuloi fushën nga atmosfera e ndezur në tribuna.
Partizani goditi i pari me Human në minutën e 23-të, duke kaluar në avantazh dhe duke ndezur entuziazmin e tifozëve të kuq. Tirana reagoi, me Myslovic që iu afrua golit të barazimit, por pa sukses në tentativat e para.
Baraspesha erdhi më pas nga Kresic, i cili riktheu shpresat për bardheblutë, ndërsa përmbysja u vulos nga Alvarez, që shënoi golin e fitores në një moment kyç të takimit.
Në tribuna, atmosfera ishte elektrizuese. Tifozët e Partizanit shpalosën banderolën provokuese “Myte, Myte”, duke iu referuar rezultateve të fundit dhe situatës së vështirë të Tiranës. Por përgjigjja e bardhebluve nuk mungoi: “Ata duan që ne të biem, por ne qëndrojmë mbi të gjithë”.
Me këtë sukses, Tirana ngjitet në kuotën e 35 pikëve, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa Partizani mbetet në vendin e pestë me 45 pikë.

