OPINION /

Deti nuk është “thelë mbi bisht”

Shkruar nga Versus

 

Deti nuk është “thelë mbi bisht”

Nga Aurel Plasari

Ka ardhur duke u shtuar në Shqipëri një kategori pronarësh banditë, të cilët rrugët që nxjerrin në bregdet i konsiderojnë si “thela mbi bisht” të pronave të tyre. E pabesueshme duket se sa vite vazhdoi rragatja për lirimin e rrugës që nxjerr në plazhin e Kakomesë! Sot është bërë thirrje për të çliruar rrethimin e hyrjes në plazhin e Karpenit. Një video e qytetarëve ka regjistruar rrethimin me gardhe në hekur e tela që i është bërë plazhit të Qerretit. Edhe sa të tjera “thela mbi bisht”?

Në Republikën e Shqipërisë bregdeti dhe plazhet janë pasuri publike të mbrojtura me ligje. Banditëve që nuk duan t’ia dinë për këtë, do t’i kishte takuar shtetit t’ua mësonte: jo me leksione, me ndëshkime. Grumbullimin e pasurisë së madhe le ta gëzojnë! Në kapitalizëm jemi dhe kapitalizmin e kemi pranuar. Por, nëse një pasuri e madhe i bën pronarë të tillë të dalin mbi ligjet, atëherë Republika është prishur: votuesit kanë votuar partinë, ndërsa qeverisin pronarët e mëdhenj dhe jo institucionet.  

Pra edhe një herë: kur rrugët e kalimit për të dalë në bregdet kanë ekzistuar historikisht, asnjë pronar i tokës përreth nuk ka të drejtë t’i bllokojë ato për sa kohë janë të mbrojtura nga parimi se bregdeti është pasuri publike dhe akcesi në të nuk mund të izolohet nga pronat private. As edhe në rastet kur rrugë të tilla mund të kalojnë përmes një toke me certifikatë pronësie (titull pronësie).

Në Republikën e Shqipërisë parimi i përmendur është sanksionuar nëpërmjet kombinimit të legjislacionit të Turizmit dhe së Drejtës Civile.

Ligji për Turizmin dhe rregulloret qeveritare ndalojnë rreptësisht bllokimin e rrugëve ekzistuese që të çojnë në plazhe. Baza Ligjore: Ligji Nr. 93/2015 “Për Turizmin” (i ndryshuar) (1,2,3) dhe Rregullorja për Stacionet e Plazhit (VKM e miratuar nga Këshilli i Ministrave) (1,2).

Sipas Rregullores së përmendur, në rastet e bllokimit të rrugëve ekzistuese nga subjektet ose pronarët privatë, Njësia e Vetëqeverisjes Vendore (Bashkia) ka detyrimin ligjor – pra detyrim! – të ndërhyjë menjëherë për lirimin e këtyre rrugëve ose për ndërtimin e rrugëve të reja që garantojnë aksesin e publikut në plazhe (1). Dhe jo të telefonojë Vangjua e të lutet: “Aman, ma bë këtë nder, hapua pak portën!”.

Nga ana tjetër, sipas Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, nëse një rrugë kalimi ka qenë e hapur dhe është përdorur lirisht nga komuniteti ose pushuesit për një kohë shumë të gjatë, ligji njeh ekzistencën e një “servituti faktik” ose të drejte kalimi të fituar me kohë. Baza Ligjore: Nenet 265-276 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, ku pohohet në mënyrë eksplicite: nëse një rrugë ka ekzistuar në mënyrë të dukshme (ka qenë e shtruar, e rrahur ose e hapur) dhe ka shërbyer për kalim për më shumë se 10 ose 20 vjet (parashkrimi fitues i servitutit), pronari i ri i tokës nuk mund ta prishë ose ta bllokojë atë në mënyrë të njëanshme, edhe nëse kjo rrugë është brenda kufijve të pronës së tij.

Nëse një pronar bandit vendos rrethime, vë tra ose pengesa fizike në rrugën ekzistuese për në det, hapat ligjorë janë:

Ankesa në Bashki dhe Polici Bashkiake (Rruga më e shpejtë). Pushuesit, banorët e zonës ose bizneset e prekura duhet të njoftojnë menjëherë Bashkinë përkatëse dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT). Bashkia ka të drejtën të ndërhyjë me forcën e ligjit për të shkulur rrethimet dhe hapur rrugën, pasi bllokohet akcesi në një pasuri publike (bregdeti) (1).

Nëse pronari mbyll rrugën pa një vendim gjykate që t’ia ketë dhënë këtë të drejtë, ai konsumon veprën penale të Vetëgjyqësisë (Neni 277 i Kodit Penal). Pra mund të njoftohet Policia e Shtetit dhe pronari i nënshtrohet kallëzimit penal për “Vetëgjyqësi”.

Nëse Bashkia nuk ndërhyn, komuniteti i banorëve ose personat e interesuar mund të ngrenë një padi në Gjykatën Civile për “Rikthim në gjendjen e mëparshme” të rrugës dhe njohjen e të drejtës së kalimit (servitutit).

Nëse për pronarë banditë që janë mbi ligjet institucionet e Republikës nuk veprojnë, atëherë i mbetet popullit të veprojë për të mbrojtur Republikën. Marrë nga Hashtag

 

Poll