OPINION /

Shqipëria që shihte Tan Lamja

Shkruar nga Versus
Shqipëria që shihte Tan Lamja
I ndjeri, Artan Lame

Nga Artan Shkreli

Jeta e solli, e më pas edhe miqësia e fortë, që me Artan Lamen të ndanim aventurat e një rrugëtimi të jetuar me vlagë pasionesh, me grindje te vazhdueshme (mbi domethënien fjales “arbër/n”, mbi (mos)displinën e Divizionit SS “Skanderbeg” apo ç’dallim kish Skënderbeu nga Zhelenski për Evropin) e me po aq të qeshura sarkastike ndaj delireve të madhështise e vajtimeve patetike të gja-nacionalistëve.

Them aventura, pasi shtegu i trajtektoreve që ai ndiqte, ndonëse oblike, kishte nje qartësi kritike unikale. Në qasjen ndaj përshfaqjeve të jetës së shqiptarëve, përmes fotografive, Lame na shoqëron në disa nga faqet më të mugëta e më sublime të historisë së vendit: krijon një kronikë personazhesh dhe atmosferash që duken të largëta nga jeta jonë e përditshme, por që në realitet u japin thellësi shumë ngjarjeve aktuale.

Prej njërit ilustrim te tjetri, udhakojmë në këtë përmbledhje “artikujsh” qysh nga përplasjet shoqërore post-otomane dhe rënia e monarkisë, deri në muzgun e epokës së Nanos. Autori ndërthur kujtime personale dhe fakte historike, të kapura nga një perspektivë e pazakontë, jo rrallë provokuese. Libri shfaqet si një kalesë nëpër dritat dhe hijet e principatës dhe te republikës sonë, por pa pretenduar të jetë shterues ose “krejt” objektiv; një vështrim mbi shqiptarët e djeshëm që flet shumë për paqartësitë dhe ndërliqjet e shqiptarëve të sotëm.

Libri i Lames priret të shpërbëjë rrëfimin tradicional dhe shpesh heroik të historisë së Shqipërisë, duke ofruar në fakt një “kundërhistori” ku theksi vihet mbi kontradiktat, mitet dhe zonat gri të së kaluarës.

Ai nuk e sheh historinë tonë si një proces linear përparimi, por si një seri përplasjesh mes interesave, ideologjive dhe narrativave të ndërtuara kohe më pas. Një nga boshtet kryesore është kritika genuine ndaj mënyrës si është ndërtuar kujtesa kolektive, sidomos për periudha si Rilindja dhe Lufta e Dytë Botërore. Si vezhgues, Lame vë në dyshim figurat e idealizuara dhe nënvizon se shpesh historia është shkruar nga fituesit, duke lënë në hije përgjegjësitë, kompromiset dhe ambiguitetet morale.

Ai e trajton fjala bie edhe luftën partizane, jo vetëm si epikë heroike, por edhe si fenomen kompleks, me tensione të brendshme dhe instrumentalizime politike në periudhën e pasluftës. Një element tjetër i rëndësishëm është analiza e raportit mes intelektualëve dhe pushtetit. Sipas Lames, një pjesë e elitës kulturore shqiptare ka qenë shpesh bashkëfajtore në krijimin ose legjitimimin e miteve kombëtare, duke kontribuar në një histori të “pastruar” nga elementet e pakëndshme. Në këtë kuptim, libri është edhe një kritikë ndaj konformizmit kulturor.

Ndonëse për nga natyra artikujt janë ftillime me fjalë të ilustrimeve grafike (porse jo thjesht didaskkali), ata paraqiten në stil polemik e provokues: autori përdor ironi dhe argumente të drejtpërdrejta për të sfiduar lexuesin, duke e shtyrë të rishqyrtojë atë çka merret si e mirëditur. Ai nuk synon të japë një histori alternative të plotë, por të shkaktojë krisje në narrativën dominante, duke ftuar në një lexim më kritik dhe më të vetëdijshëm të së kaluarës së shqiptarëve. Në thelb, “Shqipni e harrume – Një aventurë shqiptare përmes fotografive” është një reflektim kritik mbi mënyrën se si ndërtohen historitë kombëtare dhe se sa e brishtë është e vërteta historike kur ajo ndërkallet me ideologji, identitet dhe pushtet.

Poll