
Jose Mourinho pritet të sjellë ndryshime të mëdha te Real Madridi pas dy sezoneve zhgënjyese në “Santiago Bernabeu” dhe, edhe pse ende nuk është zyrtarizuar si trajneri i ardhshëm i klubit, ai ka nisur të japë sinjale për politikën e transferimeve.
Ai tashmë ka vënë në shënjestër mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri Hernandez, ndërsa edhe një nga ish-lojtarët e tij mund t’i bashkohet në kryeqytetin spanjoll.
Mourinho dëshiron kontroll të konsiderueshëm mbi planet e Real Madridit në afatin kalimtar këtë verë, me synimin për ta kthyer situatën në “Bernabeu” në favor të klubit.
Në dhomat e zhveshjes ka çështje që duhen adresuar dhe pritet të kërkohet freski përmes afrimeve të reja, njëri prej emrave që mund të jetë në listë është Marcus Rashford.
Mourinho e vlerëson lart Rashfordin, pas periudhës që kanë kaluar bashkë te Manchester United dhe, sipas The Independent, ai e ka identifikuar aktualisht huazimin e Barcelonës si një nga lojtarët që dëshiron ta shohë te Real Madridi në afatin kalimtar të verës.
Rashford mund të jetë i disponueshëm këtë verë nëse Barcelona nuk arrin të sigurojë një marrëveshje të re me Manchester United.

