
Kur ende SPAK nuk ishte ngritur dhe kur organet e hetimit përfliteshin rëndom për korrupsion e anësi, një video erotike private e një figure shumë të njohur televizive doli nga celulari i një personazhi të botës së krimit. Aq shpesh u shpërnda, sa me siguri prokurorët e çështjes, nuk e kishin menduar zhurmën dhe diskutimet që do të ngriheshin. Pas ngritjes së SPAK, sigurisht pritshmëria ishte shumë e madhe ndaj institucionit më me integritet që u ngrit gjatë viteve të gjata të tranzicionit. Kuptohet që asnjë subjekt hetimi nuk mund t’i shmanget hulumtimit në detaje të aktivitetit e jetës së tij, por a ka një kufi se çfarë bëhet publike dhe çfarë jo?!
Në një luftë të egër, si kjo mes opozitës e cila tashmë e uritur për t’u rikthyer në pushtet dhe mazhorancës, duket se mjeti justifikon qëllimin. Por ne sikur zgjodhëm dhe gardianët e së drejtës?! Ata që duhet japin drejtësi si për publikun ashtu dhe për të hetuarin. Një foto fake e postuar dje, nga Gazment Bardhi, ngriti dhe njëherë debatin e madh: Ku jemi me standardet hetimore dhe a duhet të rrjedhë në publik çdo detaj, jo në të mirën e këtij të fundit?!
Çuditërisht, ndodh që Bardhi të jetë gjithmonë personi që ka detaje nga çështje të ndryshme nën hetim nga SPAK...
Ndërsa rrjedhja e informacionit është bërë një armë politike, avokati Ylli Manjani denoncon një nga praktikat më të dëmshme të përdorimit të të dhënave hetimore në Shqipëri. Ai e sheh standartin e të drejtës private dhe sekretin e hetimeve nën përdhosje të vazhdueshme nga publikimi i materialeve që duhet të mbahen të fshehta.
“E kuptoj plotësisht dëshirën perverse popullore për të marrë vesh mbi jetën private të tjetrit”, komenton Manjani. Ai kujton gjithashtu mënyrën se si u trajtua arrestimi ndaj zyrtarëve të lartë dhe nxjerrjen e dhënave private në media, duke kritikuar ashpër jo vetëm këtë fenomen, por edhe atë se si këto të dhëna shpërndahen nga vetë oficeri i drejtësisë.
Me këtë standart përdhosës histeria kolektive është ushqyer me të dhëna përgjimesh për zyrtarë të ndryshëm, por edhe persona jo zyrtarë. Nga këto të dhëna të përhapura qëllimisht, histeria mban nëpër gojë vibratorët e Benit; brekët e Ajolës; palloshin e Belindës e plot romuze të tjera që njerëzit i mbajnë në jetën e tyre private për qejf të vet.
‘Ka një seri aktesh ndërkombëtare dhe shqiptare që e normojnë këtë gjë më së miri’.
Sipas Manjanit, përdorimi i materialeve të hetimit duhet të jetë i rregulluar rreptësisht nga ligji dhe të mos lejojë keqpërdorime. Ai thekson se nxjerrja në publik e këtyre të dhënave është jo vetëm poshtërsi perverse, po edhe shkelje e të drejtave kushtetuese të individit:
“Gazmend Bardhi është opozitari më i "informuar" me të dhëna hetimore që duhet të ishin në ruajtje.
Çuditërisht Atij iu gjenden përgjimet e Xibrakës; të dhënat e SKY ECC për metamorfozën; të dhënat e telefonit të Vis Berberit.
Këto janë fakte publike, jo sajesa. Këto të dhëna nuk i japin viktimat, as avokatët e tyre sepse as ata nuk i kanë. Duhet të dini se në faza hetimore, ku ndodhen ato të dhëna, prokuroret nuk japin asnjë provë për avokatët. Por përgjigjen e pyetjes se në ç'rrethana këto të dhëna gjenden në dorën e një politikani në opozitë, një SPAK e di.
Fakt është që Gazmend Bardhi, është zëdhënës i përgjimeve që prokuroria "e pavarur" i ka siguruar për shkak të ligjit.
Të keqen e qytetarit digjital. Ai është më i sinqertë në budallëkun e vet. Kurse Gazi e di shumë mirë që kjo që bën nuk duhet bërë, aq më pak kur pastaj zëdhënien e bën dhe me fakte të rreme, që të lajë përgjegjësitë e veta për dështimet në politikë. “

