
Pas humbjes së një arbitrazhi me vlerë 130 milionë euro ndaj biznesmenit italian Françesko Beketi, qeveria detyrohet të paguajë edhe 13 milionë dollarë për kompaninë Omni Bridgeway.
Një gjykatë amerikane në Uashington ka lejuar konfiskimin e aseteve të qeverisë shqiptare pas vendimit të arbitrazhit, ndërsa qeveria kishte injoruar prej vitesh vendimin.
"Një gjyqtar federal në Uashington, D.C., pranoi të lejojë financuesin e çështjeve gjyqësore Omni Bridgeway të sekuestrojë asetet që i përkasin qeverisë shqiptare, ndërsa kjo e fundit synon të zbatojë një vendim arbitrazhi që tani vlen rreth 13 milionë dollarë," shkruajnë mediat amerikane.
Kujtojmë se një gjë e tillë ndodhi edhe me rastin e Beketit, i cili nisi sekuestrimin e llogarive shqiptare në Eurocontrol.
Vendimi fillestar i arbitrazhit kundër Shqipërisë u dha në vitin 2020 nga një gjykatë arbitrazhi në Zvicër.
Fatura e gjyqeve në arbitrazh që duhet të paguajë Shqipëria i tejkalon 200 milionë dollarë.
Ndërkohë janë edhe të tjera procese, për të cilat akoma nuk ka një vendim final.
/Versus.al

