POLITIKË /

'A keni marrë një vendim sa i takon Spiropalit? ', Balla pas mbledhjes së grupit parlamentar: Debatet janë pjesë e demokracisë së brendshme!

Pas përfundimit të mbledhjes, Balla doli në një prononcim për mediat, ku dha detaje mbi diskutimet dhe debatet e zhvilluara mes deputetëve, përfshirë edhe propozime për ndryshime ligjore.

Shkruar nga Versus
'A keni marrë një vendim sa i takon Spiropalit? ', Balla pas
Taulant Balla

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka zhvilluar këtë të hënë mbledhjen e zakonshme javore, të drejtuar nga Taulant Balla, në mungesë të kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas përfundimit të mbledhjes, Balla doli në një prononcim për mediat, ku dha detaje mbi diskutimet dhe debatet e zhvilluara mes deputetëve, përfshirë edhe propozime për ndryshime ligjore.

“Kemi pasur debate me kolegë për disa ligje, ku kanë propozuar disa ndryshime, amendime. Është normale që deputetët në mbledhjen e grupit parlamentar të kenë kritika. Një koleg me shumë eksperiencë bëri propozimet e tij për një ligj. Kjo është demokracia brenda grupit parlamentar”, tha Balla.

I pyetur për mundësinë e një vendimmarrjeje në lidhje me deputeten Elisa Spiropali, pas disa reagimeve të saj kritike në rrjetet sociale, Balla u përgjigj se ekzistojnë rregulla të qarta për vlerësimin e performancës së deputetëve, të cilat aplikohen në fund të sesionit parlamentar.

“Për performancën e çdo deputeti ka rregull se si bëhet, ku kërkohet edhe përmirësimi i punës. Janë rregulla që ekzistojnë në çdo parlament europian”, u shpreh ai.

Më tej, Balla theksoi se Spiropali nuk ka shprehur kritika gjatë mbledhjeve të grupit parlamentar.

“Jo, nuk i ka shprehur në mbledhje grupi”, tha ai.

Pyetje dhe përgjigje nga gazetarët

Pyetje: A keni marrë një vendim sa i takon Spiropalit, pasi është thënë që do merret vendim grupi për qëndrimin dhe mos votim për çështjen e Ballukut?

Balla: Kemi një rregull që në çdo fund sesioni bëjmë një analizë të punës së çdo deputeti. Kryesia e grupit parlamentar i paraqet grupit një raport kur të vijë ai moment.

Pyetje: Pra PS do të presë fundin e korrikut për një vendimmarrje për zonjën Spiropali?

Balla: Për performancën e çdo deputeti të PS është rregull, atëherë bëhet vlerësimi. Janë rregulla që ekzistojnë në çdo grup parlamentar.

Pyetje: Kritikat që Spiropali adreson në rrjetet sociale i ka shprehur në mbledhjen e grupit parlamentar?

Balla: Jo, nuk i ka shprehur, nuk i kam dëgjuar në mbledhjet e grupit.

Agjenda e Kuvendit dhe interpelancat

Sipas burimeve, në mbledhje është diskutuar edhe agjenda e Kuvendit që pritet të mbahet më 23 prill, ku janë parashikuar 5 interpelanca me ministra të ndryshëm.

Fillimisht pritet interpelancë me ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, më pas me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, të cilat janë të mbartura nga java e kaluar dhe të kërkuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Tre interpelancat e tjera përfshijnë ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, ministren Evis Sala dhe ministrin Andis Salla.

Ndërkohë, ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka dalë me disa reagime kritike ditët e fundit, duke ngritur shqetësime për mënyrën e drejtimit brenda Partisë Socialiste dhe institucioneve shtetërore./Versus.al

Poll