
Momentet e fundit të afatit për dorëzimin e kandidaturave për kreun e Partisë Demokratike u shoqëruan me tensione dhe paqartësi në selinë blu pak momente para mbylljes së afatit të orës 12:00.
Një orë para përfundimit të afatit në ambientet e Partisë Demokratike nuk ndodhej asnjë zyrtar i strukturave organizative. Ka qenë përfaqësuesi i ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji ai i cili është paraqitur në seli për të dorëzuar kandidaturën e këtij të fundit, mirëpo nuk ka gjetur askënd aty dhe dera ka qenë e mbyllur.
“Dera është e mbyllur, siç e shikoni edhe ju. Kjo është e qëllimshme pasi mund të vijë edhe një kandidat tjetër për të dorëzuar formularin e kandidimit të tij, por në zyrat e organizimit të PD nuk ndodhet asnjë zyrtar.”, u shpreh ai, teksa i pyetur më tej për një nga kushtet bazë që Salianji “ngec”, i cili është ai i dekriminalizimit, përfaqësuesi i tij u shpreh se edhe nga vetë Sali Berisha ai është cilësuar si “një martir i demokracisë së gjallë”.
Ndërkohë mësohet se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me avokaten Alesia Balliu e cila kishte shkuar të dorëzonte kandidaturën e saj në seli. Ndërsa deri tani mësohet se është dorëzuar edhe kandidatura e mjekes së QSUT, Merema Sela. Versus.al

