
Pas akuzave të kryeministrit Edi Rama se agjentura të huaja kishin nxitur protestat masive të qytetarëve, një tjetër deklaratë e pazakontë ka ardhur nga kryedemokrati Sali Berisha. Gjatë prononcimit për mediat jashtë Kuvendit, Berisha tha se brenda turmës së protestuesve ka agjentë serbë të futur nga SHISH.
Sipas tij, janë shpërndarë edhe 2 kontejnerë me ngarkesa të mëdha eurosh.
"Qytetarë dixhitalë më thonë që është bërë një kombinim i dy shërbimeve Tiranë-Beograd kundër protestuesve të rinj.
Kjo ka ndodhur. Qytetari dixhital më tha pardje që kanë ardhur dy kontejnerë me ngarkesa të mëdha eurosh. E publikova. Dhe mediat kyç, omerta. Dje erdhi qytetari dixhital më tha nuk kanë qenë dy, kanë qenë tre. Qytetari dixhital më thotë se po studiojnë dhe po marrin ekspertë serbë të protestave të zgjatura. Dhe ky është një akt absolutisht anti-shqiptar.
Po pse, nuk e more vesh ti, kush erdhi për dosjet e Gjykatës së Lartë? A më thua pak mua?"- tha Berisha.
Ndërsa shtoi se agjentët janë paguar nga drejtoresha e SHISH, Vlora Çitaku.
"Jo, jo, se po duken serbët ty mbrapa diellit... Krye-eksperti serb erdhi dhe mori dosjet. Çfarë ka... Edhe këta i paguan Vlora në qoftë se i ka marrë. Edhe këta i paguan Vlora. Po se tani Vlora është, dihet ajo, është agjente e përbashkët e Ramës dhe Vuçiçit. Kjo është e njohur. E kam thënë që në fillim unë. Që kur bëri udhëtimin e parë dhe e mohoi, gjë të cilën e denoncuan kolegët e saj"- shtoi kreu i PD. Versus.al

