
Kryetari i Partisë “Mundësia” Agron Shehaj ka humbur babain e tij në moshën 83 vjeçare. Deputeti ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ku tregon se Siri Shehaj po përballej me një sëmundje të rëndë, por nuk ia doli dot.
"Të dashur miq, pas një beteje të mundimshme me sëmundjen e rëndë, babai im, Siri Shehaj, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare. Jeta e tij ishte një luftë e përditshme. U rrit jetim, pasi kur ishte vetëm 8 vjeç, babai i tij, gjyshi im, vdiq në burgun e Burrelit si i burgosur politik.
Megjithatë, ai gjeti forcën ta niste gjithçka nga e para, jo për vete, por për ne, 3 fëmijët e tij. Nuk donte të largohej nga Shqipëria, por donte që ne të ishim të lirë, të kishim një jetë më të mirë, të shkolloheshim dhe të edukoheshim.
Ai ishte nxitësi im më i madh për t’u kthyer në Shqipëri dhe ishte krenar që po bëja atë që ai nuk arriti ta bënte dikur. Shumë nga ajo që bëj sot është edhe për të, për gjithçka që ajo periudhë e errët nuk e lejoi të realizonte. Babai im ishte heroi im. Ai që më ka mësuar, frymëzuar të mos dorëzohem kurrë", shkruan Agron Shehaj.
Deputeti shpjegon se prej vitit 1991, kur babai i tij vendosi të ikte në Itali, menjëherë sapo komunizmi në Shqipëri kishte rënë, 35 vitet e fundit të jetës i kaloi në Bolzano, të Italisë./Versus.al

