POLITIKË /

“AKSHI do ketë pagat më të larta në vend”, Rama: Më dhemb që goditet padrejtësisht

Shkruar nga Versus

“AKSHI do ketë pagat më të larta në vend”, Rama:

Kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij në prezantimin e drejtuesit të ri për AKSHI-n tha se ky institucion do të ketë pagat më të larta në vend me qëllim që punonjësit të mos tërhiqen nga kompanitë private.

Duke i konsideruar si asete të çmuara, Rama u tha punonjësve se AKSHI është një nga ato institucione ku të gjithë ata që merren me teknologjinë e kanë ëndërr të punojnë. Më tej shtoi se i dhemb kjo “padrejtësi” që po i bëhet si pasojë e hetimeve të SPAK nën dyshimin për grup kriminal që merrte miliona euro tendera dhe drejtohej nga Ergys Agasi.

“Unë jam i bindur që këtu ka njerëz që sot mund ta lënë punën dhe mund të shkojnë ta marrin një punë në sektorin privat dhe të marrë pagat më të larta. Por ne do ta bëjmë AKSHI-n institucionin me pagat më të larta në Shqipëri dhe të mos ketë asnjë ndërmarrje private kapacitet ta konkurrojë. Ky është qëllimi dhe këtë do bëjmë, sepse AKSHI është stacion ku çdokush që merret me teknologjinë e lartë duhet të ëndërrojë të vijë të punojë. Kjo vështirësi që po kaloni ju, duhet të jeni të sigurt që unë jam me ju në këtë vështirësi sepse më dhemb po kaq shumë sa ju çdo goditje e padrejtë që i bëhet këtij institucioni dhe këtij emri për shkak të një çështje që ka rrugën e vetë”- u shpreh Rama.

Sa i takon Igli Tafës, Rama tha se e kupton më së miri punën dhe se kishte ardhur të ndihmonte në momentin kur vendi ishte nën sulm kibernetik.

“Për Iglin nuk dua të zgjatem, e dini se kush është. Një tjetër rekrut i Shqipërisë digjitale i cili ka lënë punë të tjera dhe ka ardhur të shërbejë në një moment shumë dramatik kur u sulmuam nga terrori kibernetik”- shtoi ai. Versus.al

Poll