
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Igli Tafën si drejtues të ri të AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit), ndërsa u përqendrua në pjesën më të madhe të fjalës së tij në hetimet që SPAK po kryen për grupin kriminal që kishte mbërthyer këtë institucion ku deri dje ishte drejtuese Mirlinda Karçanaj, e cila sot është nën ‘arrest shtëpie’.
Rama tha se në një botë të drejtë do të duhej të kishte prezumim të pafajësisë, por shtoi se në Shqipëri është e kundërta.
“Në këtë revolucion jetojmë në një fazë kur nuk është prezumimi i pafajësisë ai që udhëheq veprimtarinë e atyre që duhet ta transformojnë këtë sistem në një sistem të drejtë e demokratik të drejtësisë, por prezumimi i fajësisë. Dhe ky është element dramatic i këtij procesi. Pra nëse mbi AKSHI-n ka një hetim, në një botë të drejtë të gjithë duhet të prezumohen të pafajshëm, ndërsa këtu prezumohen të fajshëm. Disa prej jush këtu janë UFO, jetojnë me ekranin e kompjuterit dhe harrojnë të hanë disa ditë. Dhe kur përballen me këtë brutalitet ndihen të çorientuar në proceset e tyre të punës. Por dua t’ju them një gjë, në fund e drejta del. Ka një kosto patjetër, por del”- u shpreh Rama.
Duke e cilësuar punën e AKSHI-t si shumë të vyer, Rama tha se do të ketë rritje pagash për këtë ekip të revolucionit digjital.
“Për ne është shumë e rëndësishme që ky institucion të vazhdojë punën, të jetë ai fari që orienton të gjithë lëvizjet e anijeve dhe tregon se ku është porti. Përsa i përket revolucionit digjital, dua t’ju inkurajoj për këtë gjë. E di se nuk është ky thelbi, por kemi vendosur të ndërhyjmë në legjislacion për t’ju thënë se ne ju kemi shumë të çmuar, shuëm të shtrenjtë. Nuk duam që ju ta braktisni shërbimin publik, nuk duam ta vendosni talentin tuaj në shërbim të sektorit privat, por duam të besoni se kjo është shtëpia juaj, u lehtësoni punën kaq shumë njerëzve, bëni që kaq shumë njerëz të shërbehen me një shpejtësi që askush nuk do e kishte imagjinuar disa vite më parë”- shtoi kryeministri. Versus.al

