POLITIKË /

“Ata idiotët shqiptarë…”, reagon ministri Ferit Hoxha: Qëndrimet mbi politikën e jashtme nuk komunikohen me SMS

Hoxha ka sqaruar se qëndrimet zyrtare mbi politikën e jashtme nuk komunikohen përmes SMS apo WhatsApp, por vetëm nëpërmjet kanaleve institucionale dhe transparente.

Shkruar nga Versus
“Ata idiotët shqiptarë…”,  reagon ministri Ferit
Ferit Hoxha

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas publikimit të disa mesazheve ku pretendohet se i është drejtuar shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut me gjuhë fyese në një bisedë në grup.

Hoxha ka sqaruar për TopChannel se qëndrimet zyrtare mbi politikën e jashtme nuk komunikohen përmes SMS apo WhatsApp, por vetëm nëpërmjet kanaleve institucionale dhe transparente.

Ai thekson gjithashtu se të gjitha qëndrimet e tij diplomatike gjatë 35 viteve karrierë janë publike dhe të dokumentuara.

“Kjo çështje është sqaruar tashmë nga ana e MEPJ përmes një reagimi publik dhe nuk kam asgjë për të shtuar.

Qëndrimet tona mbi politikën e jashtme nuk komunikohen as me SMS dhe as me WhatsApp. Ato bëhen përmes kanaleve zyrtare dhe transparente, të njohura për publikun dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe vetëm këto qëndrime prodhojnë efekt.

Kushdo që dëshiron të njihet me pozicionet dhe qëndrimet që kam mbajtur gjatë karrierës sime diplomatike, në qendrat më të rëndësishme ndërkombëtare për interesat tona kombëtare, e ka shumë të lehtë ta bëjë këtë, pasi gjithçka është publike dhe e dokumentuar. Bëhet fjalë për 35 vite kontribut të pandërprerë në shërbim të së mirës së përbashkët dhe të interesit kombëtar”-thuhet në reagimin e Hoxhës.

Një ditë më parë Partia Demokratike publikoi një mesazh  të kapur “screenshot” nga një grup whatsappi për të cilin pretendohet se është dërguar nga ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.

“Po ata idiotët shqiptarë andej çfarë thonë”- shkruhet në mesazhin e Hoxhës si përgjigjie për një artikull të shkruar nga gazeta “Nova Makedonija” për kryeministrin Edi Rama.

Në lidhje me mesazhin ka reaguar dhe Ministria e Jashtme ku deklaroi se mesazhi nuk ishte i vërtetë dhe se ishte i gjithi i shpikur.

“Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë.  Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend.

Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre.

Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme”, thuhet në reagim. 

/Versus.al

Poll