
Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me komentues rrjetet sociale të cilët e pyetën për situatën ku ndodhet vendi dhe veprimet që duhen ndërmarrë për të ndryshuar diçka. I pyetur sesi do të veprojë për t’i bashkuar edhe partitë e reja opozitare, Berisha tha se është i hapur për bashkëpunim me ta.
Por duke nënkuptuar ‘Lëvizjen Bashkë’ të Arlind Qorit, Berisha tha se njëra prej partive është e majtë dhe mesa duket nuk e sheh të arsyeshme të bashkohet përballë Ramës.
“Unë absolutisht jam shumë i hapur dhe i mirëpres pa kushte ato. E vërteta është që partitë e reja duhet t’i dallojmë pak. Njëra prej tyre është e majtë dhe duket nuk e konsideron me vend apo të arsyeshme të bashkohet kundër të keqes së madhe që quhet Edi Rama. Uroj që drejtuesit dhe forumet e saj të kuptojnë se përballë kësaj të keqeje, bashkimi është imperativ.
Partia Shqipëria Bëhet po proteston dhe unë kam mbështetur protestën e saj dhe jam 100% i hapur ndaj asaj dhe çdo partie opozitare të bashkërendojmë përpjekjet dhe luftën tonë kundër kësaj të keqeje. Uroj që gradualisht të gjendet në pikat e përbashkëta kundër narkoshtetit dhe kundër narkoqeverisë”- deklaroi Berisha. Versus.al


