Gjatë takimit përmbyllës të fushatës në Fier, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë vizioni politik, mungesë transparence dhe shmangie të ballafaqimit me qytetarët.
Berisha theksoi se në vend të një debati të hapur dhe të ndershëm, Rama ka zëvendësuar diskursin politik me shfaqje dhe spektakle mediatike. Sipas tij, kryeministri përpiqet të shmangë përballjen me problemet reale të vendit, duke e zhvendosur vëmendjen publike me veprime që ai i cilësoi si qesharake.
“Djegësi i Tiranës ka zhdukur 130 milionë euro. Ku janë këto para? Ku është djegësi i Fierit që e shëtitën vërdallë dhe sot është thjesht një llamarinë që nuk punon? Ku janë 120 milionë eurot e Becchetit? 21 milionë euro për udhëtime me avion-taksi? Ku janë 33 mijë eurot për shishen e verës 'Romano Conti'?”
Berisha përfundoi deklaratën e tij me një mesazh të drejtpërdrejtë për Ramën: “Prandaj ka dhënë urdhër të mos dalë para qytetarëve. Ai që fshihet është më i ligu. 11 Maji po vjen. Edi Rama, ky është fundi yt.”








