
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me tensionet e regjistruara gjatë protestës së lëvizjes “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë, e cila u shoqërua me ndërhyrjen e forcave të policisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha dënoi ashpër veprimet e policisë, duke i cilësuar ato si dhunë ndaj protestuesve paqësorë. Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, të cilin e etiketoi si “Ramaduro”, duke e krahasuar me presidentin venezuelian Nicolas Maduro.
“Stop terrorit ndaj protestuesve paqësor! Ramaduro, në mbrojtje të mega-aferave të tij korruptive, urdhëron policinë të dhunojë protestuesit para Kryeministrisë,” shkruan Berisha.
Më tej, kreu i PD thekson se, sipas tij, shqiptarët nuk do ta tolerojnë këtë situatë, duke paralajmëruar se Rama do të përballet me pasoja politike të ngjashme me ato të Maduros.
“Shqiptarët do t’i rezervojnë fatin e Maduros,” përfundon reagimin e tij Berisha.

