Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re që konstituohet në shtator. E renditur në listë të hapur në Qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 11 majit, Çupi nuk arriti të siguronte një tjetër mandat në Kuvend.
Sot po zhvillohet seanca e fundit e kësaj legjislature, për të përmbyllur një cikël katërvjeçar parlamentar, ndërsa Parlamenti i ri do të nisë punën pas dy muajsh.
Në një reagim në rrjetet sociale, Çupi ndau me ndjekësit mirënjohjen për besimin që i është dhënë që prej vitit 2016, kur u bë pjesë e Kuvendit. Ajo theksoi se nuk ka kursyer kohën, zemrën dhe përkushtimin për t’u shërbyer qytetarëve, duke e konsideruar politikën si një përgjegjësi ndaj interesit të përbashkët dhe jo një mjet për interesa personale.
Postimi i plotë i Dhurata Çupit:
Prej vitit 2016,kam patur krenarinë të jem përfaqësuese e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, forcës politike që mbart idealet e lirisë dhe të shërbimit ndaj qytetarëve.
Kjo parti më ka formuar politikisht, por mbi të gjitha më ka mësuar se përballë çdo vështirësie duhen mbrojtur parimet dhe jo interesat personale.
Nuk kam kursyer as kohë, as zemër, as forcë për t’i shërbyer njerëzve që më besuan, edhe atyre që nuk më votuan, duke besuar fort që politika ka qenë gjithmonë përgjegjësi dhe përkushtim për të mirën e përbashkët.
Nuk kam bërë asnjë kompromis me ndërgjegjen dhe atë çka kam besuar. Gjatë këtyre viteve kam folur me zë të lartë për çështjet që na prekin, por edhe kam heshtur kur duhej të dëgjoja më shumë. Kam ngritur zërin për të pambrojturit, për gratë, të rinjtë, për ata që ndihen shpesh të harruar nga politika. Kam qenë aty, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
Faleminderit Partisë Demokratike për besimin, faleminderit kolegëve për bashkëpunimin dhe faleminderit mbi të gjitha Ju, qytetarëve, për çdo fjalë mbështetjeje, për çdo kritikë që më ka bërë më objektive.
Do të jem gjithmonë aty ku kërkohet zëri i arsyes, forca e së vërtetës dhe bindja se fitorja e Partisë Demokratike duhet të ndodhë për të mirën e Shqipërisë tonë.
*Nga viti 2016*
Deputete
Zv/kryetare e Komisionit të Ligjeve.
Bashkëkryetare e komisionit pêr Reformen Territoriale.
Kryetare e Aleancës së grave Deputete.
Kryetare e Këshillit të Legjislacionit.
Anëtare e disa komisioneve Hetimore..../Versus.al







