
Deputetët e opozitës janë përplasur fizikisht dhe verbalisht në sallën e Kuvendit gjatë ditës së sotme, ndërsa kanë tentuar të qëllojnë dhe në drejtim të ministrave dhe kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali. Pasi janë ndaluar nga garda ata kanë shkulur mikrofonët dhe kanë djegur në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë karriget e tyre duke u shprehur se nuk do ketë më normalitet në këtë institucion pas arrestimit të deputetit demokrat Ervin Salianji me akuzën ‘kallëzim i rremë’. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka paralajmëruar përshkallëzim të qëndrimeve të tyre
“Ne jemi këtu për mbrojtjen e interesit publik, mbrojtja e të cilit është kthyer në rrezik për këdo. I pari ishte Sali Berisha, i cili sot është në arrest shtëpie dhe i dyti Ervin Salianji i cili denoncoi vëllain e Fatmir Xhafaj dhe lidhjet e krimit me politikën dhe sot ndodhet në burgun e Fierit. Edi Rama ka djegur parlamentin”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët nëse do të djegin mandatete ai u shpreh: “Djegien e mandative e bëri kush e bëri, ne nuk shmangemi nga beteja, do na kenë përballë çdo moment me regjimin kriminal të Edi Ramës që vendos ti mbyllë gojën të vërtetës. Të vërtetës nuk i mbyllet goja. Për hapat në vijim këtu do jemi dhe do ta mësoni”./ Versus.al








