Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka qenë mëngjesin e sotëm i ftuar në ‘Kafe Shqeto’ ku foli lidhur me rikthimin e tij në terren pas rreth një viti në arrest shtëpiak.
Ai e cilësoi si “eksperiencën më të keqe”, ndërsa zbuloi edhe rutnën e tij ditore për të cilën tha se ishte e njëjta sikur ndaj tij të mos kishte masë arresti shtëpiak.
“Një poet e quan rrëmbimi i ditëve, dhe natyrisht ishte një eksperiencë jo e madhe, privimi i lirisë ishte eksperienca më e keqe, por dalja në liri, axhenda e ditëve të përpin. Jam më shumë për një fitore, dhe unë punoj intensivisht për një fitore të ardhshme.
Ritmi im ditor gjatë këtij viti ishte i njëjtë, zgjohesha në të njëjtën orë, haja mëngjesin e nisja punën, jo në zyrë, por në shtëpi e natyrisht mungonte liria për të ushtruar veprimtrainë time si politikan e deputet. Ishte një monotoni e madhe përveç pjesës që kaloja me lexime e shkrime, domethenë punë”- u shpreh Berisha ndër të tjera.
Më 27 nëntor, Gjykata e Posaçme mori vendimin për të lënë të lirë ish-kryeministrin Sali Berisha i cili është marrë i pandehur për dosjen “Partizani”. Lideri i PD qëndroi nën arrest shtëpiak për 333 ditë pasi më herët kishte refuzuar të respektonte masën “detyrim paraqitje”.
Me të dalë nga arresti shtëpiak, Berisha u paraqit në selinë e Partisë Demokratike. Ndërsa së fundmi ka njoftuar edhe datën 23 dhjetor si datën e radhës për mosbindjen civile e cila sipas tij do jetë më e madhja që ka parë vendi. Versus.al







