
Partia Demokratike dhe Socialiste kanë rënë dakord për zgjatjen e afateve hetimore të komisionit të posaçëm të ngritur për koncesionet e Shëndetësisë, ‘Sterilizimin’ dhe “Check Up-in”. Afati hetimor që përfundonte ditën e sotme është zgjatur me 2 javë më shumë për zbardhjen e shkeljeve që dyshohet të jenë kryer nga ana e Ilir Beqajt që asokohe mbante postin e ministrit të Shëndetësisë dhe të vartësve të tij.
Beqaj, i arrestuar prej qershorit nën akuzën e abuzimit me fondet e BE-së gjatë kohës që ka mbajtur postin e kreut të SASCPAC ka një masë detyrim paraqitje për këtë çështje dhe pavarësisht se emri i tij është në listën e dëshmitarëve, ish-ministri ende nuk është paraqitur për të dëshmuar. Kjo për shkak edhe të kaosit që ka përfshirë mbledhjet e komisionit në ditët e fundit, duke qenë se deputetët e PD të cilët u përjashtuan nga seancat plenare nuk janë lënë të futen në mbledhjet e zhvilluara.
Komisioni hetimor për koncesionet në Shëndetësi është përfshirë nga anormaliteti që pas seancës së 30 shtatorit ku opozita iu rikthye kaosit dhe aksionit të dhunshëm menjëherë pas dënimit dhe arrestimit të ish-deputetit Ervin Salianji. Deputetët e përjashtuar demokratë nuk janë lejuar nga garda që të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit. Versus.al








