
Eric Wendt konfirmohet si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri. Gjatë votimit në senat, Wendt u votua me 51 vota pro dhe 47 kundër duke u zyrtarizuar kështu zyrtarisht si ambasador në Tiranë.
Që prej vitit 2023, diplomacia amerikane në Shqipëri është drejtuar nga e Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy Vanhorn. Në qershor të 2023-it, përmbylli mandatin e saj ambasadorja Yuri Kim dhe që prej atij momenti në Shqipëri nuk ka patur ambasador amerikan.
Me votimin në Senat, përfundon procedura e konfirmimit dhe pritet që ambasadori të marrë detyrën në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga administrata amerikane.
Karriera e Wendt
Sipas të dhënave të karrierës së tij, Eric P. Wendt është një oficer i lartë në pension i Ushtrisë Amerikane me mbi 34 vjet shërbim, pjesën më të madhe të të cilit e kanë kaluar në forcat speciale "Beretat e Gjelbra". Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur pozicione si Koordinator i Sigurisë së SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe Shef i Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në sigurinë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.
Wendt ishte nominuar më parë për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati. Versus.al

