Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri gjatë një interviste televizive në A2Cnn foli për protestat masive që kanë kapluar së fundmi vendin. Pavarësisht pjesëmarrjes së lartë të qytetarëve në protesta të përditshme, deputetja tha se nuk ka asnjë arsye që kryeministri të japë dorëheqjen.
“Nuk ka asnjë arsye që Partia Socialiste apo Edi Rama të japin dorëheqjen, kur premtimi kryesor i fushatës ka qenë integrimi europian. Shqipëria synon të mbyllë negociatat deri në fund të vitit 2027. Kryeministri ka ftuar protestuesit të përfaqësohen dhe të paraqesin kërkesat e tyre për dialog”- tha ajo.
Ndërsa nuk la pa ironizuar edhe largimin e deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i PS.
"U qartësova edhe më shumë për atë që po ndodhte që nga momenti i parë të daljes së grupit parlamentar, sepse nuk pati aq kurajo sa të linte mandatin e fituar nga Partia Socialiste, mandatin e dhuruar nga Partia Socialiste.
Më kujton Dritëro Agollin kur thotë: “E mbajta në krah gjithë ditën, edhe zemrën i dhash, mbahu, në fshat kur arritëm u tha të tjerëve më rrahu.” Kjo është shprehja më e saktë. E ftoj të dalë të konkurrojë me kecat, sepse as kecat nuk do ta votojnë. Kaq, nuk dua të merrem më me këtë temë”- shtoi ligjvënësja. Versus.al

