Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të caktuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Rekursi është paraqitur nga avokatët e tij përmes postës, një procedurë e zakonshme në rastet kur të pandehurit ndodhen në masë sigurie dhe nuk kanë mundësi fizike për t’u paraqitur personalisht.
Nën Hetim për Korrupsion dhe Pastrim Parash
Erion Veliaj është aktualisht nën hetim nga SPAK për korrupsion të nivelit të lartë dhe pastrim parash, në kuadër të një dosjeje që, sipas burimeve, përfshin kontrata publike të dyshimta, transferime të parave jashtë vendit, dhe favorizime klienteliste në tenderë të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës.
Arrestimi i Veliajt shënoi një nga momentet më të forta të goditjes së korrupsionit në nivel të lartë, dhe vendimi për “arrest me burg” u justifikua nga gjykata me rrezikun e ndikimit mbi hetimet dhe mundësinë e prishjes së provave.
Në rekursin e dorëzuar, avokatët e Veliajt argumentojnë se masa është disproporcionale, duke theksuar se klienti i tyre është bashkëpunues, ka një adresë të njohur dhe detyra publike (të cilën ndërkohë e ka pezulluar për shkak të hetimit), dhe nuk paraqet rrezik arratisjeje apo të pengojë hetimin në këtë fazë.
Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën në një seancë që ende nuk është caktuar zyrtarisht, por pritet të zhvillohet brenda javëve të ardhshme, për shkak të urgjencës së çështjes dhe ndikimit të saj publik dhe institucional. /Versus.al







