
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me asamblenë socialiste të Njësisë 7 në Tiranë, ku ka komentuar edhe raportimet për përplasje në mbledhjen e fundit të zgjeruar të grupit parlamentar.
Duke mos i mohuar episodet, Rama u shpreh se ato i janë dukur “spektakolare” dhe “të pabesueshme”, duke theksuar se mbledhjet e tilla zhvillohen rregullisht për të diskutuar çështje të rëndësishme si pronat, kadastra dhe reforma territoriale.
Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, disa media raportojnë mbi këto takime, duke u fokusuar në detaje të brendshme politike dhe jo në problemet reale të qytetarëve.
“Njerëzit kanë votuar dhe duan të dinë gjëra të tjera. Janë të shqetësuar për çmimin e naftës… kjo është jeta reale,” u shpreh Rama, duke iu referuar edhe ndikimit të konflikteve ndërkombëtare në rritjen e çmimeve.
Kryeministri Rama:
Ishte spektakolare, e pabesueshme edhe për mua që, besoj që nuk ka më çfarë më surprizon, që ne mblidhemi në një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar me qeverinë, që e bëjmë çdo fund muaji, për të diskutuar tema specifike, për të dëgjuar qeveria deputetët dhe anasjelltas, i kushtojmë orë të tëra çështjes së pronave, shërbimit të kadastrës, ecurisë së reformës në kadastër, etj.
Pastaj flasim për reformën administrative territoriale ku bashkëkryetari prezanton gjithë analizën e bërë këto muaj të të dhënave demografike, financiare, skenarët etj etj, dhe pastaj bëjmë një sesion tjetër për temat e komunikimit dhe për këtë fushatë brenda partisë dhe rreth partisë fillojmë në orën 11 dhe dalim në orën 6 dhe mediat kombëtare, nuk po diskutoj tenxheret e vogla, apo ato të mbushura me helm që në mëngjes, por media kombëtare.
Raportojnë për publikun çfarë i tha Edi Rama njërës e çfarë i tha tjetrit. Natyrisht që shqetësimi nuk është ky. Njerëzit kanë votuar dhe duan të dijnë gjëra të tjera. Janë të shqetësuar për çmimin e naftës, kjo është jeta reale. Çmimi që rritet si rezultat i një lufte, që as e kemi hapur ne, as na ka pyetur njeri ne për ta hapur dhe që është një luftë kundër një vendi ku ka një regjim armiqësor ndaj nesh si Shqipëri.Versus.al


