Kryeministri Edi Rama ka komentuar rritjen e çmimit të naftës, duke u shprehur se situata aktuale është pasojë e një krize globale që po prek shumë vende.
Ai theksoi se çmimi i naftës është rritur në mbarë botën dhe se Shqipëria nuk bën përjashtim, ndërsa shtoi se në vend aplikohet edhe taksa e qarkullimit, e cila ndikon në nivelin përfundimtar të çmimit.
Sipas Ramës, heqja e kësaj takse do të ulte çmimin e karburantit, por do të rrisë ndjeshëm kostot për qytetarët që kanë mjete, ndaj sistemi aktual synon që “ata që shpenzojnë më shumë, të paguajnë më shumë”.
Kryeministri njoftoi gjithashtu një reformë të re në tregun e naftës, përmes krijimit të një kompanie publike që do të merret me rezervën strategjike dhe furnizimin me karburant, me synim ndikimin në stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Kryeministri Rama:
Tani besoj që njerëzit e kanë kuptuar që po përballemi me një krizë që ndodh në të gjithë dynjanë. Çmimi i naftës është rritur kudo, në vende të tjera ka shkuar edhe shumë më lartë se këtu. Çfarë po bëjmë, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë mund të bëjmë?
Zakonisht, është më i lartë se disa vende rreth e rrotull, sepse ne kemi edhe taksën e qarkullimit. Nëse e heqim taksën, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një mjet do të duhet të paguajnë katërfishin e asaj që paguajnë sot. Në vend se t’ju ngarkojmë me katërfishin, ne kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë; kjo është logjika. Në një farë mënyre, ata që djegin më shumë karburant janë edhe ndotës.
Për këtë arsye, ne kemi marrë përsipër të bëjmë një transformim të thellë për të gjithë mënyrën se si zhvillohet aktiviteti në tregun e naftës, duke krijuar një kompani publike, që do merret me rezervën strategjike të naftës. Dhe nga ana tjetër, duam që kjo kompani të jetë edhe furnizuese e naftës, dhe duke qenë furnizuese, të ndikojë në çmimin e naftës duke mbrojtur interesat e konsumatorëve.Versus.al

