POLITIKË /

Çfarë pritet më 12 mars? Seanca në Kuvend nis me votimin për Ballukun, njëkohësisht mbahet protesta e PD

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se deputetët socialistë do të votonin kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut.

Shkruar nga Versus

Çfarë pritet më 12 mars? Seanca në Kuvend nis me votimin

Ditën e enjte, më 12 mars pritet që Kuvendi të mbajë një ndër seancat me interesin më të madh ku do të hidhet në votim kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të ish-zv kryeministres Belinda Balluku e cila aktualisht është deputete e PS.

Socialistët pritet të votojnë kundër pasi edhe vetë kryeministri Edi Rama e deklaroi diçka të tillë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS që u mbajt më 9 mars. Kërkesa e SPAK do të jetë e para në rendin e ditës sapo seanca të nisë në orën 10:00.

Në të njëjtën orë, PD ka thirrur protestë kombëtare para Kuvendit duke përkuar me nisjen e seancës plenare.

Rendi i ditës: 

1.Projektvendimi “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.

(Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës dhe neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim).

Pasi të flasë deputetja Balluku, paraqitet raporti nga opozita. Më pas paraqitet raporti i mazhorancës dhe në fund votohet.

2. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Metrit, nënshkruar në Paris, më 20 maj 1875, të ndryshuar me konventën e nënshkruar në Sèvres, më 6 tetor 1921, dhe rregulloren përkatëse”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)

3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfË, Frankfurt am Main (KfË), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)

4. Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 64/2025, “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”. (Në mbështetje të nenit 78, pika 1, të Kushtetutës, si dhe të neneve 21, pika 1, dhe 55 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

5. Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.

(Në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës, si dhe neneve 21/1 dhe 55 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

6. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. (Në mbështetje të nenit 45 të Rregullores së Kuvendit: Çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta dhe nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Koha e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.) Versus.al

Poll