
Rusia ka reaguar për herë të parë ndaj akuzave se ajo është ndër aktorët që ka nxitur protestat e zhvilluara prej 1 muaji në Tiranë.
Përmes një deklarate publike, ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri, duke iu referuar konkretisht, deklaratave të Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i quan këto akuza të pabaza.
Sipas Ambasadës, Rusia ndjek në mënyrë rigoroze parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera, duke respektuar zgjedhjet e popujve dhe duke bashkëpunuar me qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime.
“Rusia zbaton me rreptësi njërin prej parimeve themelore të politikës së saj të jashtme: parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të huaja. Moska gjithmonë respekton zgjedhjen e popullit dhe punon me qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime. Ne i urojmë sukses dhe begati popullit shqiptar, pavarësisht koniunkturës së krijuar politike dhe nivelit aktual të marrëdhënieve”, thuhet në deklaratë.
Më tej, Ambasada shprehet se nuk është hera e parë që politikanë shqiptarë, sipas saj, përpiqen t’i atribuojnë Rusisë një “ndikim dashakeq” në zhvillimet e brendshme politike të Shqipërisë.
“Me keqardhje vërejmë se kjo nuk është hera e parë që politikanët shqiptarë janë përpjekur t’i imponojnë publikut vendas në mënyrë të pabazë idenë e të ashtuquajturit ‘ndikim dashakeq’ të Rusisë. Ne bëjmë thirrje për një qasje më të përgjegjshme ndaj deklaratave të tilla dhe për t’u përmbajtur nga kërkimi i armiqve aty ku ata nuk ekzistojnë”, përfundon reagimi i Ambasadës Ruse.

