POLITIKË /

''Gjithologët mbinë si kërpudhat pas shiut'', Rama për pallatin e djegur te Arlis: Ishte ndërtuar me materiale të certifikuara

Shkruar nga Versus

''Gjithologët mbinë si kërpudhat pas shiut'',

Ashtu si çdo fundjavë, edhe këtë herë kryeministri Edi Rama zgjodhi të komentonte në podkastin e tij ‘’Flasim’’ zhvillimet gjatë javës. Fillimisht foli për vizitën e tij në Itali e Spanjë ndërsa më pas adresoi edhe tragjedinë e ndodhur disa ditë më parë në kompleksin Arlis në Tiranë ku një pallat 12 katësh u shkrumbua nga flakët.

Rama nënvizoi faktin se pallati do të rindërtohet nga vetë ndërtuesi, ndërsa tha se për banorët e prekur do të ketë një bonus qeraje deri në rindërtimin e apartamenteve të tyre.

"Gjatë kësaj jave pati një moment që, për hir të së vërtetës, fillimisht ishte rrëqethës për shkak se flakët që përfshinë një pallat në Tiranë u duk se mund të kërcënonin seriozisht jetët e banorëve, por, për fat të mirë dhe falë përpjekjes dhe punës realisht profesionale, por mbi të gjitha heroike të forcave të zjarrfikësve, gjithçka kaloi pa asnjë jetë të humbur dhe pa plagë të rënda. Ndërkohë, çka mbeti pas zjarrit ishte shkrumbimi i asaj godine, për të cilën u vumë menjëherë në lëvizje dhe gjëja e parë dhe më e rëndësishmja, sipas meje, është që godina do të rindërtohet tërësisht nga e para, 100% nga vetë ndërtuesi i saj dhe nga ana tjetër, angazhimi për të ndihmuar banorët që, deri në momentin - dhe besoj nuk do të marrë shumë kohë, sepse karabinaja është aty - por deri në momentin kur ata banorë do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe, patjetër, edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme që kanë ndodhur në banesat e tyre’’- tha Rama.

Më tej ironizoi edhe deklaratat lidhur me cilësinë e punimeve të pallatit dhe shtoi se ndërtimi kishte të gjitha materialet e certifikuara të cilat vinin nga importi.

‘’Tani, gjithmonë në këto raste, shfaqen menjëherë, si kërpudhat pas shiut, lloj-lloj gjithologësh dhe lloj-lloj ekspertësh publikë, por pa licencat dhe pa njohuritë e nevojshme për të marrë një rol të tillë. Po gjithsesi, edhe për shkak të emocioneve, edhe për shkak të nevojës për të marrë protagonizëm, kush nuk del e çfarë nuk thotë. E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri, po të doni, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin, por, nga ana tjetër, kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar ashtu siç duhet edhe çka lidhet me cilësinë dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse, nga verifikimi i parë që është bërë, ndërtimi kishte të gjitha materialet të certifikuara dhe vinin nga importi, kështu që nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë. Më e rëndësishmja është që askush prej atyre banorëve që patën atë moment dramatik, që fatmirësisht dhe, përsëris, falë, në radhë të parë, forcave zjarrfikëse, por edhe forcave të rendit aty të pranishme, nuk u kthye në një moment tragjik, nuk do të lihet vetëm dhe nuk do të lihet në fatin e vet përballë nevojës për t’u rikthyer dhe për të jetuar normalisht në një banesë të veten, siç i takon, tërësisht të rindërtuar"- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al

 

Poll