POLITIKË /

“Godina ku luhet teatri i turpit”, Rama pas vizitës në Hagë: E gjeta komandantin në formë

Rama shkruan se asgjë nuk mundet ta përdhosë luftën e Kosovës për liri.

Shkruar nga Versus
“Godina ku luhet teatri i turpit”, Rama pas vizitës në
Rama në Hagë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një vizitë në Gjykatën Speciale të Hagës ku mbahen të arrestuar ish-liderët e UÇK që prej vitit 2020. Duke e cilësuar gjykatën si godinë ku luhet teatri i turpit, Rama tha se asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare të Kosovës.

Ndër të tjera rrëfen se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte në gjendje shumë të mirë dhe shtoi se kishin folur për librat që i kishte dërguar. Ndërsa shkroi se nuk di se çfarë të thotë më për këtë gjyq që ai e konsideron një padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës.

Postimi i plotë:

Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë.

E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar - një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”

Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë.

Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pagjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor. Versus.al

Poll