Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin sot në hapjen e Unazës së Madhe të Tiranës, një projekt prej 29 kilometrash i gjatë që lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare.
Hapja e unazës është bërë pasditen e sotme.
Unaza e madhe është projekti më i madh infrastrukturor në kryeqytet, i finalizuar brenda afateve dhe do të çlirojë Tiranën nga trafiku si dhe do të ketë një impakt të rëndësishëm në ekonomi, sipas Ballukut.
Kjo unazë do të jetë në shërbim të të gjithë automjeteve, të cilat aksesojnë Tiranën nga të gjitha hyrjet jashtë qytetit, si nga Rruga e Arbrit, ashtu edhe nga rruga Tiranë-Elbasan apo Tiranë-Durrës.
Unaza e Madhe e Tiranës, krahas korsive të shpejtësisë së automjeteve, ka pjesë të projektit edhe elementët urbanë, si ndriçim dhe gjelbërim, duke qenë se kalon përmes zonave të banuara. Për këmbësorët do të ketë gjithashtu hapësira të dedikuara.
Projekti është financuar plotësisht nga fondet e buxhetit të shtetit, ndërsa kostoja totale sipas autoritetit rrugor arriti në 44.3 miliardë lekë.








