
Gjatë takimit me sipërmarrësit e prodhimit të vajit të ullirit në Berat, kryeministri Edi Rama foli edhe për heqjen e subvencioneve për naftën e fermerëve. Sipas tij, shkak për këtë vendimmarrje është bërë arsyeja se shumë prej fermerëve abuzonin duke e përdorur naftën për qëllime të tjera që nuk kishin lidhje me bujqësinë.
“Rimbursimi i TVSH-së me 10%, që do të thotë, kemi pasur mbi 60 mijë që kanë marrë naftë, ndërkohë që ne e dimë shumë mirë që fuqia prodhuese dhe bazat prodhuese nuk e kanë këtë lloj proporcioni. Nuk kanë 60 mijë aktorë. Në këtë sens, ne nuk kemi hequr mbështetjen për asnjë që ka nevojë edhe për naftë, por kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe përdoret për qëllime që nuk kanë lidhje me bujqësinë, kjo është e vërteta. Ose kemi dalë në atë konkluzion edhe për një fakt tjetër, që shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve, kanë qenë të detyruar të marrin naftën dhe të ua japin të tjerëve, është dhënë për sipërfaqe/ hektar, ai tjetri ka pasur një Mercedez në qytet dhe ka marrë naftën nga ai që punon tokën atje.
Ata të cilët kanë prodhuar në tokat e të tjerëve dhe naftën ia kanë dhënë atyre të tjerëve kanë vazhduar të rriten, nuk është kjo ajo që e rrit prodhimin. Ne kemi qenë të detyruar që të provojmë disa rrugë, ndërsa kjo rrugë tani, vjen edhe si rezultat i rritjes së vetëdijes së formalizimit”- deklaroi Rama. Versus.al

