POLITIKË /

Hoxha i quajti “idiotë” shqiptarët në RMV, ministri Durmishi: Skandaloze, urgjent të kërkojë falje

Shkruar nga Versus

Hoxha i quajti “idiotë” shqiptarët në RMV, ministri

Mesazhi i publikuar mbrëmjen e djeshme nga PD ku tregohej sesi ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha kishte ofenduar shqiptarët e Maqedonisë duke i quajtur "idiotë", ka sjellë reagime të ashpra.

Së fundmi ka reaguar Besar Durmishi, ministri shqiptar i Ekonomisë në RMV duke shprehur zhgënjimin për mesazhin e Hoxhës dhe duke thënë se presin sqarime urgjente nga Tirana zyrtare si dhe një kërkim falje nga ministri Hoxha. 

“Zhgënjyes dhe i papranueshëm fjalori i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, i cili i quan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”, presim reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra. Kjo lloj gjuhe shkel çdo kod etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti”, shkruan ai.

Ndërsa kujton se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar.

“I kujtojmë z. Hoxha se e ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombësit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar.

Në të njëjtën kohë, zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani, i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut”, shprehet ai.

Ndërkohë dje reagoi edhe ministria e Jashtme e Shqipërisë e cila e konsideroi mesazhin "sajesë". Versus.al

Poll