Ilir Meta, lideri i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, i cili aktualisht ndodhet i burgosur, ka bërë një urim për shqiptarët për Vitin e Ri 2025 nga qelia e tij. Ai ka zgjedhur një foto nga ngjitja në Jezercë, majën më të lartë të Alpeve Shqiptare, për ta shoqëruar mesazhin e tij.
Në mesazhin e tij, Meta e ka përshkruar vitin 2024 si një periudhë të vështirë, e mbushur me shumë sfida dhe beteja për t'u përballur së bashku. Ai i inkurajon shqiptarët të qëndrojnë të bashkuar dhe të përballojnë vështirësitë me guxim dhe optimizëm.
Reagimi i plotë i Ilir Metës:
“Të nderuar qytetare dhe qytetarë shqiptarë!
Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Siç është zakon secili nga ne bën edhe një bilanc.
Mbyllim një vit shumë të vështirë, plot sfida të panumërta dhe beteja të përbashkëta.
Më shumë se gjysmën e shqiptarëve, në veçanti pensionistët, ky vit që po troket i gjen në varfëri ekstreme, të pastrehë, të braktisur dhe të përjashtuar nga regjimi aktual, që vrau shpresën edhe për të rinjtë.
Përpjekja e hapur dhe e dhunshme për asgjësimin e demokracisë dhe pluralizmit politik avancoi si kurrë më parë.
Përpara kemi një malore jo të lehtë.
E megjithatë duhet të jemi shumë besimplotë se do të ngjitemi në majë sepse kauzat e mëdha dhe ekzistenciale, qëndresa, vendosmëria, dinjiteti dhe patriotizmi ynë e bëjnë të pashmangshme Triumfin e së Mirës ndaj së Keqes dhe Fitoren e përbashkët që po sjell ky Vit i Ri.
Me përkushtim, dashuri dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira dhe të bukura, me vullnet, forcë e përgjegjësi, me energji pozitive, mençuri dhe vizion ne të gjithë bashkë do ta bëjmë realitet ëndrrën e bukur të të rinjve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!
Nga zemra ju uroj të jetë ky Vit i Ri plot me gëzime, shëndet, mbarësi, dashuri dhe suksese për ju, familjet tuaja dhe të afërmit kudo që janë!
Gëzuar 2025!”/ Versus.al








