POLITIKË /

Shqipëria në fokusin e transportit ndërkombëtar – Balluku prezanton në Stamboll projektet strategjike të ndërlidhjes

Qëllimi i forumit ishte nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e infrastrukturës moderne të transportit dhe teknologjive të reja në këtë fushë.

Shkruar nga Versus
Shqipëria në fokusin e transportit ndërkombëtar –
Belinda Balluku në Forumin Global për Transportin dhe Ndërlidhjen

Nën kujdesin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Stamboll u zhvillua Forumi Global për Transportin dhe Ndërlidhjen, një ngjarje ndërkombëtare me rëndësi strategjike, që mblodhi rreth 70 ministra nga e gjithë bota.

Qëllimi i forumit ishte nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e infrastrukturës moderne të transportit dhe teknologjive të reja në këtë fushë.

Shqipëria u përfaqësua nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila prezantoi përpara pjesëmarrësve arritjet dhe projektet e rëndësishme që vendi ka ndërmarrë në sektorët e transportit rrugor, aviacionit dhe veçanërisht në zhvillimin e porteve.

Balluku theksoi se këto investime po e pozicionojnë Shqipërinë në një nivel të ri zhvillimi, duke e futur në listën e vendeve të përparuara në aspektin e ndërlidhjes infrastrukturore.

Gjatë forumit u trajtuan tema kyçe si elektrifikimi i hekurudhave, zgjerimi i përdorimit të automjeteve elektrike, krijimi i porteve të gjelbra dhe lidhja strategjike e tyre me portet e thata. U theksua se projektet e reja të transportit nuk duhet të kufizohen më brenda kufijve shtetërorë, por të synojnë ndikim rajonal dhe global.

Ministrja Balluku e cilësoi transportin si një faktor të pazëvendësueshëm për zhvillimin ekonomik dhe jetën e përditshme të qytetarëve, duke shtuar se transporti multimodal është kthyer në një domosdoshmëri për çdo qeveri që synon zhvillim të qëndrueshëm dhe siguri të garantuar.

“Elektrifikimi i hekurudhave, flotat e reja të automjeteve elektrike, portet e gjelbra dhe të lidhurat me portet e thata dhe mbi të gjitha projekte me përfitim rajonal janë diskutuar, pasi transporti nuk ka më kufij. Kam prezantuar me këtë rast progresin e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në fushën e transportit rrugor, aviacionit civil, si dhe kam prezantuar projektet e reja që lidhen me portet, me ato porte, të cilat e kanë futur Shqipërinë në një listë tjetër, në një listë të vendeve të zhvilluara”, u shpreh ministrja Balluku.

Forumi u mbyll me një thirrje të qartë për thellimin e bashkëpunimit mes shteteve në projekte të përbashkëta ndërkufitare, që kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të ndërlidhur, më moderne dhe më të sigurt për të gjithë./Versus.al

Poll