POLITIKË /

Ish-deputeti demokrat Dashnor Sula prezantohet si kryeinspektor i Shqipërisë: Me kryeministrin nuk jemi parë si armiq!

Ceremonia e prezantimit u zhvillua në prani të ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila e shoqëroi Sulën para vartësve të Inspektoratit të Përgjithshëm.

Shkruar nga Versus
Ish-deputeti demokrat Dashnor Sula prezantohet si kryeinspektor i
Dashnor Sula prezantohet si Kryeinspektor i Shqipërisë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është prezantuar zyrtarisht sot në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Emërimi i tij vjen pas lirimit nga kjo detyrë të Shkëlqim Hajdarit, i cili nga sot ka marrë postin e prefektit të Qarkut Tiranë.

Ceremonia e prezantimit u zhvillua në prani të ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila e shoqëroi Sulën para vartësve të Inspektoratit të Përgjithshëm. Ministrja Ibrahimaj garantoi mbështetje maksimale nga ana e saj për kryeinspektorin e ri, duke theksuar se do të jetë pranë tij në çdo hap.

Në fjalën e tij të parë në detyrë, Dashnor Sula u shpreh se do të ketë bashkëpunim të plotë me qeverinë dhe ministren, duke premtuar përkushtim maksimal nga ana e tij. Ai theksoi se do të respektojë orarin e punës, do të jetë i disponueshëm 24 orë në 24 për çdo problem apo koleg, dhe do të mbajë kontakte direkte me ministren dhe kryeministrin kurdoherë që të jetë e nevojshme.

“Përkushtimi do të jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit kur vihet në punë, deri orën që mbyllet, dhe unë ju garantoj që do jem 24 orë në 24 për çdo problem, apo koleg, vartës, që do ketë problematika,” tha Sula.

Ai iu referua edhe marrëdhënieve të tij të mëparshme politike me mazhorancën, duke theksuar se pavarësisht përballjeve në Kuvend me kryeministrin Edi Rama dhe ministres Ibrahimaj, kurrë nuk i kanë parë njëri-tjetrin si armiq. “Kështu funksionon demokracia. Për mua kjo është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ nga kryeministri për të përmbushur këtë detyrë. S’është privilegj, është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe,” shtoi ai.

Sula premtoi drejtësi dhe përkushtim maksimal ndaj bizneseve gjatë ushtrimit të detyrës, duke nënvizuar se do të zbatohet ligji pa dallime.

Emërimi i Dashnor Sulës erdhi pas një procesi konkursi zyrtar, ku ai rezultoi kandidati me më shumë pikë. Vendimi u mor nga Këshilli i Ministrave me propozim të kryeministrit Rama, në bazë të ligjit për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.

Nga ana e Partisë Demokratike, emërimi i ish-deputetit Sula ka shkaktuar reagime kritike, me disa zyrtarë që e kanë quajtur si kalim nga opozita në mazhorancë.

Detyra e Kryeinspektorit të Përgjithshëm është një nga pozicionet më të rëndësishme në sistemin e inspektimit shtetëror, përgjegjës për koordinimin e inspektorateve dhe zbatimin e ligjit ndaj subjekteve publike dhe private./Versus.al

Tags:

dash sula

Poll