
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetarin Richard Attias gjatë organizimit të FII (Iniciativa e Investimeve të Ardhshme). Gjatë intervistës, Rama nuk la pa folur për faktin që është ende në pushtet për një mandat të katërt qeverisës, duke treguar edhe “sikletin” me kolegët e tij socialisë europianë të cilët kishin ngritur pikëpyetje për këtë gjë.
Rama theksoi se u ishte përgjigjur me batutë duke u thënë se mbase nuk ishte socialist aq i mirë dhe prandaj ka arritur të fitojë 4 mandate.
“Së pari dua të ndaj me ju se jam paksa në bela me kolegët socialistë europianë. Sepse dikush më pyeti si është e mundur që ke fituar 4 mandate kur je socialist? Çfarë do u thoshe të tjerëve më pyeti. I thashë: Dëgjo nuk di çfarë të të them, ndoshta fitoj sepse nuk jam socialist i mirë”- tha Rama.
Duke iu përgjigjur pyetjes së bërë nga gazetari për tri prioritetet e qeverisjes së mandatit të katërt, Rama nuk pati fusha konkrete përqendrimi, por u mjaftua duke thënë se bëhet fjalë për anëtarësimin në BE.
“Tre gjërat themlore aktualisht që flasim janë BE, BE, BE kështu që dritarjae mundësisë është e hapur. Është e trishtueshme që na duhej Putini që kjo dritare mundësie të hapej. Sepse ishte agresioni i tij në Ukrainë që i zgjoi të gjithë dhe e ktheu në veprim mesazhin e qartë se një ditë Europa do jetë e bashkuar në veprim. Nëse ne ia dalim, atëherë 4 mandatet do t’ja kenë vlejtur”- deklaroi kryeministri. Versus.al







