
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në një dëgjesë publike të zhvilluar për projektbuxhetin e Tiranës. Teksa foli për disa prej politikave të reja që do të ndërmerren me buxhetin për vitin 2026, ai foli edhe për ndikimin që do të ketë sa i takon ofrimit të shërbimit shëndetësor për pacientët e sëmurë me kancer.
Duke përmendur skandalin e spitalit Onkologjik ku pacientët me kancer nuk trajtoheshin dhe nuk merrnin barnat e domsodoshme për sëmundjen, Rama tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm ka një fond të caktuar për të siguruar ilaçet shumë të kushtueshme për të sëmurët me kancer.
“Kemi bërë shumë për transformimin e infrastrukturës në spital dhe për atë të Onkologjikut. Por siç jemi të vetëdijshëm, për fat të keq jo vetëm në Shqipëri, porn ë të gjithë botën kemi rritje të vazhdueshme të numrave për njerëzit që preken nga kanceri. Kjo do të thotë rritje e vazhdueshme e barrës për t’u kujdesur për më shumë njerëz. Ajo që ka ndodhur para ca kohësh në spitalin Onkologjik mund të jetë harruar për shumëkënd, por nuk është harruar nga ne.
Problemi kryesor që më pas shkakton pasoja sic e pamë në atë ngjarje në spitalin Onkologjik është se barnat për shërbimin e kancerit janë shumë të kushtueshme. Ndërkohë që ne shërbimin spitalor e ofrojmë falas për të gjithë, pavarësisht se shpesh herë përqeshet. Janë apo jo të siguruar, ata që trokasin në derën e spitalit, marrin njësoj përkujdesje. Duke qenë se barnat janë të kushtueshme dhe numri i pacientëve rritet, na ka bërë që për vite të mos jemi në gjendje t’u përgjigjemi nevojave. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi vendosur për herë të parë një fond për të mbuluar nevojën për barnat e Onkologjikut. Do bëjmë të mundur që të gjithë ata që trokasin në atë spital për të luftuar për jetën e tyre të mos ndjejnë mungesën e përkujdesit për shkak të mungesës së barnave”- tha Rama. Versus.al



