Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj ka folur në “Opinion” mbi pritshmëritë e tij sa i takon zgjedhjeve të 11 majit, duke u shprehur se forca politike e sapokrijuar, është defacto parti e tretë në rang kombëtar.
Sa i takon një parashikimi mbi mandatet që mund të fitojë “Mundësia”, Shehaj tha se preferon të jetë me këmbë në tokë duke dalë në përfundimin se sistemi aktual nuk ia jep mundësinë lëvizjes së tij që të fitojë 14 mandate.
“Tirana është qarku ku kemi më shumë mbështetje, por një gjë është e sigurt. Ne jemi qartësisht forca politike e tretë në rang kombëtar. Në Tiranë po e po, me një diferencë shumë të madhe nga dy partitë e tjera të reja, por jemi parti e tretë pothuajse në të gjitha qarqet. Po flas sipas sondazhet. Të gjitha sondazhet fotografojnë këtë situatë, na nxjerrin forca e tretë në të gjithë Shqipërinë.
Unë i qëndroj fakteve. Nuk më pëlqen të fluturoj. E vetmja parashikim që mund të bësh është në bazë të sondazheve. Po të shikosh sondazhet nëse na nxjerrin rreth 10%, fatkeqësisht sistemi elektoral nuk ka jep mundësinë të marrim 10% të mandateve, por mund të jetë një numër i përafërt. Më pak se 14. Flas mesatarisht”- u shpreh Agron Shehaj.
Ai deklaroi më tej se nuk ka në plan që të bashkojë votat me asnjë parti politike nëse do të jetë vendimtar për krijimin e qeverisë, duke lënë të kuptohet se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
“Nuk synojmë të kushtëzojmë, nuk është qëllimi ynë të jemi team maker. Bashkëpunim me asnjë! Ne nuk bashkojmë votat me asnjë! Ne e dimë se ç’do ndodhë në datë 12, do fillojë pazari siç është bërë gjithmonë, ose me parti politike, me deputetë. Ka ndodhur dhe do ndodhë.”- shtoi Shehaj. Versus.al








