
Pas jehonës së gjerë në mediat e huaja të protestave masive nga qytetarët shqiptarë për çështjen e Zvërnecit, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median ndërkombëtare CNN.
Ai u përplas me gazetaren e cila e pyeste vazhdimisht për projektin, ndërsa Rama i përsëriste se nuk ka asnjë projekt dhe se janë lajme të rreme. Pavarësisht se dje pati protesta edhe në qytete të ndryshme të vendit, Rama e mohoi këtë gjë duke thënë se bëhet fjalë vetëm për një tubim në kryeqytet.
“Para së gjithash, nuk ka asnjë projekt. Ata po flasin për një projekt që nuk e ka parë askush tjetër përveçse në imazhe të rreme të krijuara dhe të shpërndara në rrjetet sociale në Shqipëri, sepse ne jemi në një luftë hibride”, tha Rama ndër të tjera.
Gazetarja e pyeti disa herë nëse projekti do të vijojë apo është ndalur, ndërsa Rama këmbënguli sërish se nuk ka projekt dhe se sa i takon hetimit nga SPAK, ka të bëjë me çështje pronësie.
“Nuk ka projekt. Hetimi ka të bëjë me një nga pronarët e tokës. Nuk ka lidhje me Kushnerin apo Trumpin. Gjithçka tjetër është sensacionalizëm”, tha ai.
Rama theksoi se Shqipëria, sipas tij, po përballet me një “sulm hibrid” të përbërë nga dezinformimi, konkurrenca rajonale dhe rrjete të organizuara online, ndërsa shtoi se nuk ekziston as “ishulli i familjes Trump” dhe as një projekt i finalizuar për zonën e Zvërnecit. Versus.al

