Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar për seancën plenare të ditës së djeshme ku në vend që të kishte debat mbi programin qeverisës, Kuvendi u përfshi nga kaosi dhe qeveria e re u votua vetëm nga deputetët socialist.
Në reagim, teksa nënvizoi faktin se Kuvendi duhet të jetë një forum dialogu për diskutimin e politikave, BE shpreh keqardhjen që publikut shqiptar nuk iu mundësua qasja në një debat ku të dëgjoheshin përfaqësuesit e zgjedhur lidhur me programin qeverisës të PS për 4 vitet e ardhshme.
“Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu. Në kontekstin e anëtarësimit, Parlamenti ka një rol vendimtar për të luajtur në debatin dhe miratimin e reformave legjislative që lidhen me BE-në, duke vlerësuar ndikimet e tyre dhe duke siguruar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.
Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake. Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit.
Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik. Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE”- thuhet në deklaratën e ambasadës së BE në Tiranë. Versus.al







