Në bashkëbisedimin që zhvilloi sot me studentët, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe një pyetje lidhur me korrupsionin duke thënë se në Shqipëri është më shumë një perceptim sesa realitet.
Sipas tij, shkak për korrupsionin është mosfunksionimi si duhet i institucioneve të cilat janë ende në formim e sipër pavarësisht se Shqipëria është shtet prej më shumë se 100 vitesh. Ai tha se problemi i korrupsionit në Shqipëri nuk ndalon thjesht me dënimin e personave që kapen duke e bërë diçka të tillë.
“Unë mendoj që korrupsioni në Shqipëri sot është shumë më i madh në perceptim sesa në realitet. Jo se në realitet korrupsioni nuk është problem. Akoma institucionet janë në formësim. Sepse çfarë e bën korrupsionin aktiv edhe të suksesshëm në thonjëza, është hapësira që ai gjen si një alternativë për personin ose subjektin që kërkon të marrë një shërbim apo të fitojë një të drejtë të cilën institucionet nuk ja garantojnë. Sepse shpesh njerëzit e ngatërrojnë korrupsionin me thjesht persona të këqinj që duhen marrë dhe duhen çuar në ferr dhe ne do shpëtojmë. Patjetër që ata që kapen duhen dënuar, por vetëm kjo nuk e çliron një vend nga korrupsioni. Që një vend të çlirohet nga korrupsioni, duhet që të shërbimet që kërkojnë njerëzit, t’ua garantojnë institucionet. Pse shkojnë njerëzit të paguajnë? Sepse nuk e marrin dot atë që kërkojnë pa paguar”- u shpreh Rama. Versus.al

