Disa muaj pas kontratës prej 6 milionë euroshe të firmosur me PD-në, kompania e lobimit në SHBA “Continental Strategy” ka përpiluar një dokument prej 23 faqesh me anë të të cilit kërkon nga Departamenti Amerikan i Shtetit që të heqë “non-gratën” ndaj Sali Berishës.
Në dokument thuhet se shpallja e Berishës “non-grata” dëmtoi politikën e jashtme amerikane dhe se heqja e saj do të sillte neutralitetin dhe rritjen e besueshmërisë amerikane në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Çfarë bie në sy është fakti se Berisha konsiderohet si një figurë politike “jo-aktive” ndërkohë që aktualisht mban postin e kreut të PD-së dhe del në konferenca të përditshme me gazetarët.
“Shpallja sipas nenit 7031(c) e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një “shtet-narkotik”. Ndërsa demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon”, thuhet në materialin e hartuar nga kompania lobuese amerikane.
Kontrata e nënshkruar nga PD para zgjedhjeve të 11 majit, shkaktoi debate të shumta në skenën politike shqiptare. Fillimisht u aludua se ishte pjesë e pagesës që do të merrte drejtuesi i fushatës zgjedhore të PD në Shqipëri, Christopher Lacivita, por Berisha pretendoi se kontrata lidhet me rivendosjen e marrëdhënieve të PD-së me administratën amerikane.
Continental Strategy është një kompani amerikane konsulence dhe lobimi që ka lidhje të ngushta me figura nga rrjeti politik i Partisë Republikane dhe ekipi i Donald Trump. Versus.al







