POLITIKË /

Kush është tezja e Adriatik Lapajt që mori mandatin e deputetes?

Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe më pas Kolegji Zgjedhor e shpallën këtë praktikë të pavlefshme, duke e konsideruar dorëheqjen të paefektshme dhe mandatin të vlefshëm për kandidatin e renditur të parë në listën e mbyllur — Ana Dajko.

Shkruar nga Versus

Kush është tezja e Adriatik Lapajt që mori mandatin e deputetes?

Ana Dajko, 60 vjeç, do të jetë e vetmja deputete që përfaqëson partinë “Shqipëria Bëhet” në Kuvendin e Shqipërisë duke nisur nga shtatori. Ajo është nëna e anëtarit të kryesisë së partisë, Vasil Dajko, dhe tezja e drejtuesit politik Adriatik Lapaj.

Dajko ishte e para në listën e mbyllur të qarkut Tiranë, në kuadër të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, një bashkim mes Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit. Ky koalicion u krijua mbi një strategji politike të veçantë: përfshirja e emrave fiktivë në listat e mbyllura, të cilët do të dorëhiqeshin pas zgjedhjeve, duke lejuar kështu që në Kuvend të hynin më të votuarit nga listat e hapura.

Pas zgjedhjeve të 11 majit, të gjithë kandidatët e listave të mbyllura dhanë dorëheqje nga kandidimi, përfshirë edhe Ana Dajkon. Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe më pas Kolegji Zgjedhor e shpallën këtë praktikë të pavlefshme, duke e konsideruar dorëheqjen të paefektshme dhe mandatin të vlefshëm për kandidatin e renditur të parë në listën e mbyllur — Ana Dajko.

Situata u komplikua më tej kur Adriatik Lapaj, i cili më parë kishte deklaruar se mandatin duhej ta merrte tezja e tij, kërkoi që vendin në Kuvend ta zinte Kleana Xhuveli, vajza e tezes. Por kjo kërkesë u refuzua nga Kolegji Zgjedhor.

Gjatë kësaj periudhe, marrëdhëniet mes Lapajt dhe aleatit të tij Endri Shabani u tensionuan dhe koalicioni u shpërbë. Në një moment, në qendër të debatit doli edhe një tjetër familjar – daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni – duke e thelluar përplasjen.

Pavarësisht pretendimeve të ndryshme, vendimi përfundimtar i KQZ-së është i qartë: mandati i deputetit i takon Ana Dajkos. Përfaqësuesja e KQZ-së, Pavlina Docaj, theksoi se dorëheqjet e paraqitura janë të pavlefshme dhe se nëse zonja Dajko nuk pranon të bëjë betimin në Kuvend, vendi i saj do të plotësohet sipas renditjes së listës. /Versus.al/

Tags:

ana dajko

Poll