
Kur kanë mbetur edhe 12 kuti për t’u numëruar, rezultati duket se tashmë është i qartë. Partia Socialiste ka arritur të sigurojë pushtet absolut në Kuvend me 83 deputetë, ndërsa Partia Demokratike ka shënuar sërish rënie duke arritur të marrë vetëm 50 deputetë.
Ndërkohë partia ‘Mundësia’ e Agron Shehajt ka siguruar mandatin e dytë në Tiranë, ndërsa “Nisma Shqipëria Bëhet” pavarësisht numrit më të madh të votave në rang vendi, sërish nuk ka arritur të fitojë më shumë se një mandat deputeti në Tiranë.
Forcë e tretë në Kuvend renditet Partia SocialDemokrate e Tom Doshit me 3 mandate. Edhe “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit ka arritur të sigurojë një mandat në Tiranë.
Tashmë mbetet llogaritja e votës së diasporës për të bërë të mundur një ndryshim në ndarjen e mandateve. Deri më tani në 79.709 zarfe të numëruar nga 194.889 që është totali, dominon Partia Socialiste me 42.492 vota ose 53.97% të totalit.
Më pas ndiqet nga PD me 22.481 vota ose 28.55% të totalit dhe partia e tretë më e votuar nga diaspora është “Nisma Shqipëria Bëhet” me 6670 vota ose 8.47%. Gara mund të mbetet e hapur në disa qarqe si Fieri dhe Vlora ku koalicioni i drejtuar nga Adriatik Lapaj ka mundësi të marrë mandat deputeti. Versus.al







