Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e 1/5 së deputetëve ndaj ligjit për zonat e mbrojtura.
Deputetët kishin pretenduar se ligji binte ndesh me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit. Megjithatë, sipas burimeve për mediat, Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën, duke mos gjetur shkelje kushtetuese të argumentuara.
Shumica e pretendimeve janë rrëzuar për mungesë argumentimi kushtetues, ndërsa disa nuk arritën të marrin pesë votat e nevojshme të gjyqtarëve për t’u pranuar.
Sa i përket raportit financiar të projektligjit, Gjykata ka vlerësuar se ai nuk sjell pasoja të drejtpërdrejta ekonomike që do të kërkonin një analizë të detajuar të shpenzimeve. Gjithashtu, konsultimi publik i zhvilluar nga Kuvendi u cilësua në përputhje me kërkesat kushtetuese.
Në vendimin e saj, Gjykata thekson se ky është një ligj kuadër, pa efekte të menjëhershme, dhe si i tillë nuk shkel detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit.
Vendimi i plotë i arsyetuar pritet të publikohet brenda afateve ligjore. /Versus.al







